Një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar në Amerikën Latine është vrarë gjatë një operacioni ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar presidenti amerikan, Donald Trump.
Sipas Trumpit, Hector Rusthenford Guerrero Flores, i njohur si “Niño Guerrero” dhe lider i kartelit kriminal Tren de Aragua, u eliminua gjatë një sulmi të shpejtë dhe të koordinuar me autoritetet venezueliane.
Presidenti amerikan deklaroi se operacioni u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me “miqtë” e SHBA-së në Venezuelë, ndërsa publikoi edhe pamje që shfaqnin momentin e shpërthimit të objektivit të goditur.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, konfirmoi se operacioni ishte realizuar më herët gjatë javës në koordinim me forcat e sigurisë venezueliane.
Ndërkohë, komandanti i Komandës Jugore të SHBA-së, Francis Donovan, falënderoi autoritetet venezueliane për mbështetjen në aksionin që çoi në vrasjen e liderit të organizatës.
Guerrero konsiderohej arkitekti kryesor i shndërrimit të Tren de Aragua nga një bandë e burgjeve venezueliane në një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare. Autoritetet amerikane e akuzonin atë për drejtimin dhe koordinimin e aktiviteteve terroriste dhe kriminale që prekën edhe territorin e SHBA-së.
Qeveria amerikane kishte vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacion që do të mundësonte arrestimin e tij.
Tren de Aragua, që e ka origjinën në Venezuelë, është lidhur me trafikim njerëzish, rrëmbime, zhvatje, pastrim parash dhe trafik droge. Organizata ka zgjeruar aktivitetin e saj në disa vende të Amerikës Latine, përfshirë Venezuelën, Bolivinë, Kolumbinë, Kilin dhe Perunë.
Në fillim të mandatit të tij të dytë, Trump e shpalli Tren de Aragua organizatë terroriste, duke intensifikuar operacionet kundër grupit dhe rrjeteve të tij kriminale.
Eliminimi i Niño Guerrero konsiderohet një goditje e rëndë për një nga organizatat më të rrezikshme kriminale në hemisferën perëndimore.
KAQPATA


