Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar ashpër lidhur me mjetet financiare që, sipas tij, janë marrë nga buxheti komunal përmes procedurave përmbarimore gjatë vitit 2026.

Përmes një postimi në Facebook, Totaj bëri të ditur se vetëm së fundmi Komunës së Prizrenit i janë marrë 360 mijë euro nga kategoria e subvencioneve.

“Përmes përmbaruesit, Komunës së Prizrenit i merren 360 mijë euro nga kategoria e subvencioneve”, ka shkruar ai.

Sipas Totajt, shuma totale e mjeteve të marra nga komuna gjatë këtij viti arrin në afro 17 milionë euro, duke ngritur shqetësime për ndikimin që kjo mund të ketë në funksionimin dhe projektet komunale.

“Gjatë vitit 2026 në total Komunës iu janë marrë afër 17 milionë euro”, deklaroi ai.

Kryetari i Prizrenit përdori edhe gjuhë të ashpër në reagimin e tij, duke e cilësuar situatën si një “poshtërësi”.

“Poshtërësia ka emër dhe mbiemër”, shkroi Totaj, pa dhënë detaje shtesë lidhur me rastin përmbarimor apo obligimet financiare që kanë çuar deri te ekzekutimi i këtyre pagesave.

Ende nuk janë bërë të ditura sqarime zyrtare për natyrën e borxhit apo vendimin përmbarimor që ka ndikuar në buxhetin e komunës.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *