Një shtetas i Kosovës është arrestuar në Maqedoninë e Veriut pasi u kap duke vozitur me shpejtësi të lartë në autostradën A1, pranë nyjës së Smokvicës në rajonin e Gjevgjelisë.
Sipas autoriteteve policore maqedonase, 30-vjeçari me inicialet B.T. po drejtonte një veturë të tipit Audi A6 me targa të Kosovës me shpejtësi prej 203 kilometra në orë, në një zonë ku kufizimi maksimal i lejuar është 120 km/h.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 18 majit, rreth orës 22:18, gjatë një kontrolli rutinor të trafikut nga njësitet policore të SPB Strumicë dhe DPB-Gjevgjeli.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, shoferi është larguar menjëherë nga komunikacioni dhe ndaj tij është iniciuar procedurë penale për “drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik”.
Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli, ndërsa ndaj të dyshuarit është ngritur kallëzim sipas nenit 297-a të Kodit Penal maqedonas.


