Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke pretenduar se sonte, më 5 shtator, skadon edhe afati sipas interpretimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ramadani, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar vendimin për vazhdimin e seancës konstituive më 9 shtator, duke e cilësuar atë si “provokim të qëllimshëm” dhe veprim që, sipas tij, prodhon jostabilitet institucional.

Sipas Ramadanit, rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik, ndërsa seanca konstituive është thirrur më 6 gusht.

Ai ka rikujtuar se interpretimi kushtetues për afatin 30-ditor lidhet me certifikimin e rezultateve, çka sipas tij nënkupton se ky afat ka përfunduar më 7 gusht.

Ndërkohë, Ramadani pretendon se interpretimi politik i Vetëvendosjes ka qenë që afati 30-ditor të llogaritet nga dita e thirrjes së seancës konstituive. Sipas këtij interpretimi, ai thotë se afati përfundon sonte, më 5 shtator, në orën 23:59.

“Jo vetëm që nuk u respektua interpretimi kushtetues për afatin e konstituimit të Kuvendit, por Vetëvendosje nuk po e respekton as interpretimin e saj politik për këtë afat”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka kundërshtuar edhe vazhdimin e seancës më 9 shtator.

“Prandaj, thirrja e vazhdimit të seancës për 9 shtator nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si provokim i qëllimshëm dhe si një veprim që prodhon jostabilitet institucional”, është shprehur ai.

Ramadani ka përfunduar duke thënë se Kuvendi mund të konstituohet vetëm gjatë ditës së sotme dhe se, pas përfundimit të saj, nuk mbetet më, sipas tij, asnjë afat apo arsyetim për shtyrjen e procesit.

Pretendimet për interpretimin e afateve kushtetuese dhe pasojat e tyre mbeten pjesë e debatit politik dhe institucional në Kosovë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *