Policia e Shtetit ka konfirmuar ndalimin e këngëtarit Jozefin Marku, i njohur si Jozi, lidhur me konfliktin e ndodhur ditë më parë me Eduart Kuçin në afërsi të mbikalimit të Rinasit.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, hetimet nisën pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale, përmes së cilës autoritetet identifikuan vendin ku dyshohet se kishte ndodhur ngjarja.
Policia bëri të ditur se hetimet u zhvilluan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 6, është ndaluar J. M., 30 vjeç, për veprat penale të dyshuara “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Bashkë me të është ndaluar edhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”.
Ndërkohë, A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim nga autoritetet.
Gjatë kontrollit të banesës së K. N., Policia njofton se ka gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni, ndërsa është sekuestruar edhe automjeti “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Sipas versionit të Policisë, personat e ndaluar, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç. Shkak i konfliktit, sipas autoriteteve, dyshohet se ka qenë një fyerje ndaj njërit prej tyre.
Policia e Shtetit ka publikuar gjithashtu pamje nga momenti i ndalimit të personave të dyshuar dhe nga mbërritja e tyre në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Personat e përmendur në këtë rast konsiderohen të dyshuar deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
KAQPATA


