Mijëra qytetarë janë mbledhur të shtunën në Nish, në një kundërprotestë ndaj tubimit të mbështetësve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Situata është tensionuar mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.
Sipas raportimeve të mediave lokale dhe pamjeve të publikuara nga vendngjarja, protestuesit kanë përdorur fishkëllima dhe vuvuzela, ndërsa kanë brohoritur kundër Vuçiqit dhe kanë kërkuar që ai të largohet.
Në rrugën Vozhdova, rreth 300 metra larg Teatrit Kombëtar të Nishit, një kordon policor ka penguar studentët, qytetarët dhe veteranët e luftës që t’i afrohen vendit ku po mbahej tubimi i mbështetësve të pushtetit.
Protestuesit kanë kërkuar nga policia t’i lejojë të kalojnë drejt teatrit, ndërsa tensionet janë rritur gjatë përplasjes mes palëve.
Në një moment, protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të policisë. Forcat e rendit, të mbështetura edhe nga xhandarmëria, kanë përdorur mburoja dhe i kanë shtyrë demonstruesit.
Ndërkohë, në pjesën ku po mbahej tubimi i SNS-së, mbështetësit e partisë kanë qenë të mbledhur me flamuj partiakë dhe shtetërorë. Nga skena është dëgjuar edhe muzikë patriotike.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur fjalim para Teatrit Kombëtar në Nish, ndërsa prania e madhe policore ka vazhduar gjatë gjithë zhvillimit të tubimit.
Pas përshkallëzimit të situatës, në terren janë dërguar edhe njësi shtesë të xhandarmërisë.
Protestat në Nish zhvillohen në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, ku përplasjet mes mbështetësve të pushtetit dhe protestuesve, përfshirë studentë dhe qytetarë, kanë qenë të shpeshta.
KAQPATA


