Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar burgim efektiv për Vullnet Gashin, i cili akuzohet për aksidentin e 2 dhjetorit 2023 në rrugën “Bill Clinton”, ku humbi jetën një këmbësor. Sipas prokurorisë, i akuzuari ishte dënuar 117 herë për kundërvajtje në trafik dhe në momentin e aksidentit nuk posedonte patentë shofer.

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në këtë rast janë dhënë fjalët përfundimtare nga palët.

Prokurori i rastit, Ardian Mehmeti, deklaroi se pas administrimit të provave është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se Gashi ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Sipas prokurorit, provat materiale dhe personale kanë vërtetuar gjendjen faktike të rastit.

Prokuroria: Ishte dënuar 117 herë për kundërvajtje në trafik

Mehmeti kërkoi që gjatë caktimit të dënimit të merret parasysh pasoja e rëndë e aksidentit – vdekja e viktimës – si dhe sjellja e përsëritur e të akuzuarit në trafik.

Ai theksoi se Gashi, deri në kohën e aksidentit, ishte dënuar 117 herë për kundërvajtje në trafik, duke vlerësuar se kjo tregon mosrespektim të vazhdueshëm të rregullave të komunikacionit.

Prokurori shtoi se në ditën e aksidentit Gashi ishte duke drejtuar automjetin pa patentë shofer.

Për këtë arsye, prokuroria kërkoi që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet me burgim efektiv.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar V.B., avokati Emrush Kastrati, tha se nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar gjendja faktike dhe se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Kastrati gjithashtu kërkoi që Gashi të shpallet fajtor dhe të dënohet me burgim efektiv.

Mbrojtja kërkon pafajësi

Në anën tjetër, mbrojtësi i Vullnet Gashit, avokati Driton Muharremi, e kundërshtoi qëndrimin e prokurorisë.

Ai tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se klienti i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Sipas mbrojtjes, provat materiale dhe personale nuk dëshmojnë kryerjen e veprës penale. Për këtë arsye, avokati Muharremi kërkoi që Gashi të shpallet i pafajshëm dhe ndaj tij të nxirret aktgjykim lirues.

Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjyqtari i rastit, Driton Berisha, e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar për një datë tjetër.

Si ndodhi aksidenti?

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, aksidenti ka ndodhur më 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë.

Në aktakuzë pretendohet se Gashi ishte duke drejtuar automjetin pa patentë shofer, në shiritin e djathtë të dedikuar për autobusë dhe taksi.

Sipas prokurorisë, ai nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe situatën në komunikacion, duke rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.

Në momentin e aksidentit, tani i ndjeri F.B. ishte duke kaluar rrugën jashtë vendkalimit të këmbësorëve.

Aktakuza thotë se, në atë moment, në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion. Kur automjeti i Gashit arriti pranë “Euro Roleta”, me pjesën e përparme e goditi këmbësorin.

Si pasojë e lëndimeve të marra, F.B. kishte ndërruar jetë.

Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023, sipas aktakuzës, ka konstatuar se vdekja ishte e dhunshme dhe kishte ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë.

Rasti kishte kaluar te një gjyqtar tjetër

Ky rast fillimisht ishte në shqyrtim te gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, por më pas, për shkak të kalimit të saj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Kundërvajtje, rasti iu caktua gjyqtarit Driton Berisha.

Në seancën fillestare të mbajtur më 18 tetor 2024, Vullnet Gashi ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Gashi po akuzohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9, lidhur me paragrafët 6 dhe 1 të Kodit Penal.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *