Një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjikale është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku mjekët kanë arritur të heqin një tumor retroperitoneal bilateral që kishte përfshirë struktura të mëdha vaskulare dhe ureterin e majtë.

Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, masa tumorale kishte rrethuar aortën abdominale dhe venën kava inferiore, ndërsa ishte shtrirë deri në nivelin e arterieve iliake.

Tumori kishte përfshirë edhe ureterin e majtë, duke e bërë ndërhyrjen veçanërisht komplekse dhe me rrezik të lartë kirurgjikal.

Tumori u hoq në tërësi

Pas një diseksioni të kujdesshëm dhe të kontrolluar, ekipi mjekësor arriti të kryejë rezeksionin e plotë të masës tumorale.

Gjatë operacionit u bë e nevojshme edhe heqja e veshkës së majtë, e cila ishte përfshirë nga masa tumorale.

Ndërhyrja u realizua nga urologu Dr. Kushtrim Fejza dhe kirurgu Dr. Bujar Vrella, në bashkëpunim me ekipin e Anestezionit dhe atë të sallës operative.

Kërkohej koordinim i lartë i ekipeve mjekësore

Nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës është theksuar se raste të tilla kërkojnë planifikim multidisiplinar, përvojë të avancuar kirurgjikale dhe koordinim të ngushtë ndërmjet ekipeve mjekësore.

Vëmendje e veçantë gjatë ndërhyrjes kërkohet në menaxhimin e strukturave të mëdha vaskulare dhe atyre retroperitoneale, për shkak të kompleksitetit të rastit.

Spitali ka shprehur mirënjohje për mjekët, ekipin e Anestezionit dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë të përfshirë në realizimin e suksesshëm të ndërhyrjes.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *