Profesori amerikan Edward P. Joseph ka vlerësuar se zgjidhja e ngërçit politik në Kosovë është përgjegjësi e të gjithë liderëve politikë, duke theksuar se qytetarët duhet t’i ndëshkojnë me votë nëse nuk arrijnë të gjejnë një konsensus.
Sipas Joseph, përgjegjësinë kryesore për tejkalimin e situatës e mban kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pasi kontrollon shumicën parlamentare, megjithatë ai nënvizoi se përgjegjësia nuk i takon vetëm një force politike.
“Votuesit duhet t’i ndëshkojnë të gjithë liderët politikë që nuk arrijnë të gjejnë konsensus, sepse kjo po e dëmton vendin”, u shpreh ai.
Profesori amerikan bëri dallimin mes stabilitetit të shtetit dhe zhvillimit demokratik, duke theksuar se Kosova mbetet një vend i qëndrueshëm, por ngërçi aktual politik nuk përbën një shembull pozitiv për funksionimin e demokracisë.
Ai shtoi se situata aktuale nuk mund të krahasohet me ngërçet parlamentare që kanë përjetuar vende të tjera, pasi, sipas tij, në Kosovë ekziston një parti me mundësi të qarta për të ndikuar në zgjidhjen e krizës.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph e cilësoi si zhvillim negativ pezullimin e dialogut strategjik mes dy vendeve. Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për të forcuar besimin e komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës.
Ai komentoi edhe procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke thënë se nuk disponon informacione të veçanta mbi rrjedhën e procesit gjyqësor, por shprehu shqetësimin se mund të ekzistojë një motivim, i vetëdijshëm ose jo, për të nxjerrë një vendim dënues ndaj të akuzuarve, për shkak të kohëzgjatjes dhe kostos së lartë të procesit.
Deklaratat e Edward P. Joseph u bënë në një intervistë për Ekonomia Online, ku ai trajtoi zhvillimet politike në Kosovë, raportet me SHBA-në dhe procesin gjyqësor në Hagë.
KAQPATA


