Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë për Marshin për Liri, i cili mbahet sot në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Për shkak të marshit, disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit do të bllokohen për qarkullim.
Marshi do të mbahet nga ora 14:00, ndërsa aktiviteti do të zhvillohet në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu”.
Policia ka bërë të ditur se qëllimi i masave është garantimi i sigurisë së pjesëmarrësve, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, si dhe ruajtja e rendit dhe qetësisë publike.
Sipas planifikimeve policore, për qarkullim do të bllokohen përkohësisht rrugët “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi”.
Policia ka paralajmëruar se, varësisht nga nevojat operative dhe zhvillimi i situatës në terren, mund të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit edhe në rrugë të tjera.
Për menaxhimin e trafikut janë angazhuar njësi patrulluese të trafikut, të cilat, sipas nevojës, do të bëjnë riorientimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Kosovës ka theksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime dhe marshime paqësore dhe se do të angazhohet që aktiviteti të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.
Ndërkohë, qytetarëve dhe pjesëmarrësve u është bërë thirrje që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat ku do të zhvillohet marshi.
“Siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.
KAQPATA


