Aleanca Veriatlantike (NATO) ka njoftuar se do të nisë një proces të optimizimit gradual të pranisë së misionit të KFOR-it në Kosovë, pas vlerësimeve të fundit që tregojnë përmirësim të situatës së sigurisë në vend.

Sipas njoftimit zyrtar, NATO ka vendosur që në janar të ndërpresë dislokimin e forcave rezervë në kuadër të KFOR-it, pas më shumë se dy vitesh rotacion të vazhdueshëm të trupave shtesë.

Misioni i KFOR-it, që nga viti 1999, është përshtatur vazhdimisht në bazë të zhvillimeve të sigurisë në Kosovë, ndërsa pas tensioneve të vitit 2023 dhe sulmeve ndaj paqeruajtësve në Zveçan, numri i trupave ishte rritur ndjeshëm.

Gjenerali amerikan Alexus G. Grynkewich theksoi se NATO mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë dhe se ndryshimet do të jenë të kujdesshme dhe të bazuara në vlerësime të inteligjencës.

“NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, u shpreh ai.

Sipas planit të prezantuar, reduktimi i trupave do të bëhet gradualisht, duke ndjekur ciklet kombëtare të rotacionit dhe duke u përshtatur me zhvillimet në terren. Megjithatë, NATO thekson se ndryshimet mund të rishikohen nëse situata e sigurisë e kërkon një gjë të tillë.

Aleanca ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke bërë thirrje për angazhim të të dyja palëve në proces.

NATO ka theksuar se nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në Kosovë dhe se KFOR do të vazhdojë të garantojë stabilitet dhe liri lëvizjeje për të gjitha komunitetet.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *