Një javë pas nisjes së vitit të ri shkollor 2026/2027, shkollat në Kosovë ende nuk janë furnizuar me ditarë shkollorë. Për të evidentuar orët mësimore dhe mungesat e nxënësve, mësimdhënësit po përdorin përkohësisht fletë të printuara.

Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pavarësia” në Prishtinë, drejtoria ka përgatitur një format të përkohshëm të ditarit në letër A4. Ky format po përdoret gjatë ditëve të para të vitit shkollor, deri në ardhjen e ditarëve zyrtarë.

Drejtori i shkollës, Halil Braha, ka thënë se të gjitha të dhënat e mbledhura gjatë kësaj periudhe do të bartën më vonë në ditarët zyrtarë, ndërsa fletët e përdorura do të ruhen në arkivin e shkollës.

Sipas tij, kjo zgjidhje është përdorur për të shmangur mungesën e plotë të evidencës së punës së mësimdhënësve.

Braha ka theksuar se mungesa e ditarëve krijon vështirësi sidomos në evidentimin e mungesave të nxënësve dhe në regjistrimin e rregullt të orëve mësimore.

Ai ka treguar se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe gjatë pandemisë, por atëherë ditarët kishin vonuar vetëm rreth tri ditë pas fillimit të vitit shkollor.

Drejtoria e shkollës thotë se deri më tani nuk ka marrë ndonjë sqarim zyrtar për arsyen e vonesës.

Prishtina konfirmon mungesën e ditarëve

Mungesën e ditarëve në shkollat e Prishtinës e ka konfirmuar edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani.

Ai e ka cilësuar situatën si shqetësuese, duke thënë se vonesa ndikon në funksionimin e rregullt të procesit mësimor dhe në mbajtjen e evidencave nëpër klasa.

Sipas Elshanit, informacionet që kanë marrë jozyrtarisht tregojnë se ditarët pritet të arrijnë gjatë javës së ardhshme.

Ai ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës i ka përfunduar përgatitjet e nevojshme dhe është në pritje të furnizimit.

AVONET: Dështim institucional

Për mungesën e ditarëve ka reaguar edhe Rrjeti i OJQ-ve AVONET, i cili e ka cilësuar situatën si “dështim të papërgjegjshëm institucional”.

Sipas AVONET-it, ditari shkollor është një nga mjetet themelore për evidentimin, dokumentimin dhe administrimin e procesit mësimor.

Organizata ka vlerësuar se mungesa e tij nuk duhet të trajtohet thjesht si një vonesë administrative, pasi problemet në fillim të vitit shkollor ngrenë pikëpyetje për planifikimin dhe koordinimin institucional.

Operatori: Furnizimi nis gjatë fundjavës

Ndërkohë, operatori ekonomik i përzgjedhur nga Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se procesi i përgatitjes së dokumentacionit shkollor, përfshirë librat e klasës dhe ditarët, është në fazën përfundimtare.

Sipas operatorit, furnizimi i librarive lokale të autorizuara pritet të nisë gjatë fundjavës, ndërsa në fillim të javës së ardhshme ato pritet të furnizojnë shkollat nëpër komunat përkatëse.

Operatori ka deklaruar se vonesa lidhet me përfundimin e procedurave, hartimin, përgatitjen dhe prodhimin e dokumentacionit shkollor.

Po ashtu, sipas tij, disa Drejtori Komunale të Arsimit ende nuk i kanë përcjellë sasitë e sakta të nevojshme për furnizim, të dhëna që konsiderohen të domosdoshme për planifikimin e shpërndarjes.

Deri në furnizimin me ditarë zyrtarë, mësimdhënësit në disa shkolla të Kosovës do të vazhdojnë të mbajnë evidencën e orëve dhe mungesave në formate të përkohshme në letër.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *