Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit të vendit kërkon domosdoshmërisht bashkëpunim me opozitën, duke theksuar rëndësinë e konsensusit parlamentar për konstituimin e institucioneve të reja.

Kurti ka folur për zhvillimet rreth numërimit të votave dhe formimit të institucioneve të legjislaturës së re, duke thënë se aktualisht vendi ndodhet ende në pritje të përmbylljes së këtij procesi.

“Njëherë jemi ende duke pritur numërimin e votave. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave do të mund të bisedojmë për hapat e ardhshëm”, është shprehur ai.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj të koalicionit kanë dalë fitues të zgjedhjeve dhe pritet të kenë rol qendror në formimin e institucioneve të reja të vendit.

Kurti është ndalur veçanërisht te zgjedhja e presidentit, duke kujtuar se për këtë proces kërkohet pjesëmarrje dhe bashkëpunim i gjerë politik në Kuvend.

“Për zgjedhjen e presidentit duhet bërë bashkëpunim me opozitën, pasi kërkohet që 80 deputetë të marrin pjesë në votimin e fshehtë”, ka theksuar ai, duke iu referuar obligimeve kushtetuese.

Ai ka shtuar se gjatë mandatit qeverisës, Vetëvendosje ka bërë përpjekje për bashkëpunim me opozitën, përfshirë edhe oferta për bashkëqeverisje, të cilat sipas tij nuk janë pranuar.

Kurti ka shprehur shpresën se këtë herë do të ketë më shumë konstruktivitet politik dhe gatishmëri për bashkëpunim në funksion të formimit të institucioneve të reja.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *