Bundestagu gjerman ka votuar për vazhdimin e mandatit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me 383 vota pro, 192 kundër dhe dy abstenime, duke konfirmuar praninë e trupave gjermane edhe për një periudhë të re.
Prej 27 vitesh, parlamenti gjerman e rinovon çdo vit pjesëmarrjen e Bundeswehr-it në misionin paqeruajtës në Kosovë, i cili mbetet operacioni më i gjatë ushtarak jashtë vendit për Gjermaninë.
Mandati i ri parasheh angazhimin e deri në 400 ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR, me një kosto shtesë të vlerësuar në rreth 35.7 milionë euro. Baza ligjore e misionit mbetet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në vitin 1999.
Pro vazhdimit të mandatit votuan CDU/CSU, SPD dhe Të Gjelbrit. Përfaqësuesit e këtyre partive theksuan se situata në Kosovë mbetet e qetë, por ende jo plotësisht e sigurt, duke përmendur marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë dhe pasigurinë për angazhimin afatgjatë të SHBA-së në rajon.
Deputeti i CDU-së, Jürgen Hardt, kërkoi formim të shpejtë të institucioneve në Kosovë, duke theksuar se pa stabilitet politik nuk mund të ketë progres drejt BE-së apo integrimeve ndërkombëtare.
Ndërkohë, deputeti i SPD-së, Macit Karaahmetoğlu, vuri theksin te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, duke paralajmëruar se mungesa e implementimit rrezikon stabilitetin në veri të vendit.
Nga ana tjetër, Boris Mijatoviq nga Të Gjelbrit paralajmëroi për rreziqet e sigurisë në rajon, duke përmendur sulmin në Banjskë si shembull të tensioneve të vazhdueshme dhe duke kërkuar mbështetje për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kundër vazhdimit të mandatit votuan AfD dhe E Majta, por me argumente të ndryshme. AfD e kritikoi misionin dhe e cilësoi Kosovën si “shtet të dështuar”, ndërsa E Majta theksoi se paqja e qëndrueshme nuk mund të garantohet vetëm përmes ndërhyrjes ushtarake.
Vendimi i Bundestagut konfirmon vazhdimësinë e angazhimit gjerman në kuadër të sigurisë në Kosovë, në një moment kur rajoni mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve politike dhe të sigurisë.
KAQPATA


