Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje PDK-së që të propozojë sa më shpejt kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit, duke kërkuar që institucionet të vazhdojnë punën pa vonesa.

Kurti ka deklaruar se proceset institucionale nuk duhet të pengohen nga procedurat, ndërsa ka kërkuar bashkëpunim nga Partia Demokratike e Kosovës në Kuvend.

“Është e domosdoshme që të punojmë e të mos humbim kohë me procedura e me ndërskamca”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ftuar PDK-në që të propozojë kandidatin e saj për postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe të angazhohet në punën e komisioneve parlamentare.

“E ftoj Partinë Demokratike të Kosovës që të vijë sa më shpejt ta propozojë edhe ajo kandidatin për nënkryetar të Kuvendit dhe të punojmë bashkë me komisionet parlamentare”, është shprehur kryeministri.

Kurti ka theksuar gjithashtu se institucionet e shtetit nuk i përkasin vetëm partisë që udhëheq Qeverinë, por edhe opozitës, e cila, sipas tij, duhet të jetë aktive në Kuvend.

“Qeveria është udhëhequr nga Vetëvendosje, ndërkohë në anën tjetër shteti dhe Republika nuk janë të qeverisë, ato janë edhe të opozitës, e cila do të jetë aktive në Kuvend”, ka deklaruar Kurti.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur Kuvendi i Kosovës po përmbyll proceset e konstituimit dhe po hyn në fazën e funksionalizimit të plotë të strukturave parlamentare.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *