Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë paralajmëruar protestë në Prishtinë kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe studentëve nga universitetet e tjera që t’u bashkohen marshit.

Protesta do të mbahet nesër, e hënë, ndërsa nisja është planifikuar në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve, në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Sipas organizatorëve, fjalimet e studentëve do të nisin në orën 12:00.

Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor tha se protesta synon të përcjellë mesazhin për unitet, dinjitet dhe solidaritet në një moment të rëndësishëm për Kosovën.

“Marshi bën thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet në një moment të rëndësishëm për vendin tonë. Studentët e UP-së, së bashku me studentë nga universitetet tjera publike e private, kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika, i cili do të lexohet nga kolegët dhe do të publikohet pas përfundimit të marshit”, deklaroi Kastrati.

Ndërkohë, Donart Humolli, po ashtu nga Parlamenti Studentor, tha se studentët e konsiderojnë reagimin e tyre si një përgjegjësi qytetare.

“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ndjen obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që të ngrejë zërin sot ndaj vendimit që e konsiderojmë thellësisht të padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë. Nuk kemi se si të jemi të qetë derisa ata që na e sollën lirinë, falë të cilëve ne sot studiojmë dhe arsimohemi të lirë, gjenden në Hagë”, tha Humolli.

Ai kërkoi gjithashtu mbështetje financiare dhe politike për të akuzuarit deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

“Kërkojmë mbështetje financiare të pakushtëzuar, si dhe mbështetje të plotë politike e morale për të akuzuarit deri në përfundimin e këtij procesi dhe derisa t’i kemi çlirimtarët tanë në shtëpitë e tyre, pranë familjeve të tyre”, u shpreh Humolli.

Sipas Parlamentit Studentor, protesta pritet të mbledhë studentë nga universitete publike dhe private të Kosovës, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje që t’i bashkohen edhe studentë nga qytetet e tjera dhe nga Maqedonia e Veriut.

Studentët kanë kërkuar gjithashtu nga subjektet politike që të tregojnë më shumë unitet në këtë periudhë.

Protesta nis në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve, ndërsa marshimi do të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”, ku në orën 12:00 janë paralajmëruar fjalimet.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *