Një 28-vjeçar me prejardhje nga Kosova është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Gjermani, pasi u shpall fajtor për tentim vrasjeje ndaj ish-partneres së tij. Megjithatë, vendimi ende nuk është përfundimtar, pasi i dënuari ka ushtruar ankesë.
Një gjykatë në qytetin Waren (Müritz) të Gjermanisë ka dënuar me burgim të përjetshëm një 28-vjeçar me prejardhje nga Kosova, i cili akuzohet se tentoi të vriste ish-partneren e tij në fillim të vitit 2025.
Sipas mediave gjermane, i pandehuri u shpall fajtor për tentim vrasjeje, shkaktim të lëndimeve të rënda dhe të rrezikshme trupore, si dhe për ndërhyrje të qëllimshme dhe veçanërisht të rrezikshme në trafikun rrugor.
Ngjarja kishte ndodhur më 23 janar 2025 në qytetin Waren, ku sipas aktgjykimit, 28-vjeçari kishte drejtuar qëllimisht automjetin e tij në korsinë e kundërt pasi kishte vërejtur ish-partneren 44-vjeçare duke lëvizur me veturën e saj.
Hetimet kanë zbuluar se marrëdhënia mes tyre kishte qenë e mbushur me konflikte, ndërsa në javët para incidentit ai dyshohet se e kishte kërcënuar me vdekje përmes mesazheve dhe kishte përmendur përdorimin e automjetit si mjet për realizimin e qëllimeve të tij.
Gjykata Rajonale e Neubrandenburgut e konsideroi fajësinë e tij të provuar pas një procesi gjyqësor ku u dëgjuan edhe ekspertë të ndryshëm. Gjatë gjithë gjykimit, i pandehuri kishte zgjedhur të mos deklarohej lidhur me akuzat.
Sipas raportimeve, ai vetëm në fjalën e fundit ka shprehur keqardhje ndaj familjes së gruas së dëmtuar.
Megjithatë, vendimi është apeluar nga mbrojtja e tij, çka nënkupton se rasti do të shqyrtohet nga Gjykata Federale e Drejtësisë në Gjermani, e cila do të vendosë nëse aktgjykimi do të mbetet në fuqi apo do të rikthehet për rishqyrtim.
KAQPATA


