Veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka shprehur publikisht mbështetjen për Bekim Sejdiun si kandidat të mundshëm për president të Kosovës, duke e cilësuar atë si një figurë profesionale dhe pa ngarkesë partiake.

Përmes një postimi, Bajraktari ka vlerësuar përvojën profesionale, juridike dhe diplomatike të Sejdiut, duke thënë se ai do të ishte një zgjedhje e përshtatshme për Kosovën në këtë periudhë.

Bekim Sejdiu, kandidati ideal për President të Kosovës”, ka shkruar Bajraktari.

Ai ka theksuar se Sejdiu ka një përvojë të gjerë institucionale, përfshirë angazhimin në Gjykatën Kushtetuese, diplomaci dhe akademi.

Sipas Bajraktarit, Sejdiu nuk bart “bagazh politik” apo “barrë partiake”, ndërsa përvoja e tij profesionale dhe shtetërore mund ta bëjë atë një figurë konsensuale për postin e presidentit.

“Ambasadori Sejdiu është një zgjedhje e mençur për Kosovën, sepse nuk bart as bagazh politik dhe as barrë partiake”, ka deklaruar Bajraktari.

Përvoja në drejtësi dhe diplomaci

Bajraktari ka përmendur edhe përvojën e Sejdiut si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ambasador i parë i Kosovës në Turqi, konsull i përgjithshëm në Nju Jork, si dhe profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Kosova ka nevojë për një lider serioz dhe profesional, i cili e kupton ligjin, e kupton shtetin dhe di të komunikojë me botën”, ka shkruar ai.

Në postimin e tij, Bajraktari ka vënë theks të veçantë edhe te raportet ndërkombëtare të Sejdiut dhe njohja e tij me diplomacinë dhe aleatët e Kosovës.

“Ai e kupton gjithashtu arenën ndërkombëtare, diplomacinë, marrëdhëniet me aleatët dhe rëndësinë jetike të miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Bajraktari.

Kërkon veprim për zgjedhjen e presidentit

Veprimtari shqiptaro-amerikan u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë, pozitës dhe opozitës, që të veprojnë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Sipas tij, vendit i nevojitet një figurë që mund të krijojë bashkim mes institucioneve, liderëve politikë, qytetarëve dhe aleatëve ndërkombëtarë.

Kosova ka nevojë për një figurë serioze dhe të respektuar si Bekim Sejdiu, i cili mund t’i bashkojë liderët politikë, institucionet, qytetarët dhe aleatët rreth një qëllimi të përbashkët: forcimit të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Bajraktari.

Emri i Bekim Sejdiut është përmendur ditët e fundit në media në kuadër të diskutimeve për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Megjithatë, raportimet se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar në parim për emrin e Sejdiut nuk janë shoqëruar deri tani me një konfirmim zyrtar për një marrëveshje përfundimtare.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *