Përplasja politike për gjendjen financiare të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) në Prishtinë është ashpërsuar, pasi asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, lidhur me obligimet që kalojnë 32 milionë euro.

Rama, së bashku me nënkryetarët Florian Dushi dhe Besiana Musmurati, një ditë më parë kërkoi hetim të plotë dhe të paanshëm për kontratën e NPB-së në Lakrishtë, e lidhur në vitin 2021.

Sipas Komunës së Prishtinës, kompania me të cilën ishte lidhur kontrata ishte themeluar vetëm rreth një javë para nisjes së procesit publik.

Ndërkohë, asamblistët e LVV-së kanë akuzuar Ramën se po tenton t’ia atribuojë përgjegjësinë për situatën aktuale një partie tjetër, duke thënë se Vetëvendosje e kishte ngritur këtë çështje prej vitesh.

Asamblisti i LVV-së, Egzon Azemi, deklaroi se partia e tij kishte paralajmëruar vazhdimisht për problemet në NPB dhe se kërkesat për trajtimin e kësaj çështjeje në Kuvendin Komunal, sipas tij, ishin bllokuar nga partitë e tjera.

“Kemi paralajmëruar publikisht për dëmin që po i shkaktohet NPB-së, kemi mbajtur dhjetëra konferenca e dhjetëra prononcime për këtë skandal, por për vite të tëra, pothuajse në çdo seancë që kemi kërkuar ta fusim si pikë në Kuvendin Komunal, jemi bllokuar nga PDK, AAK dhe LDK”, tha Azemi.

LVV kritikon Komunën për procesin gjyqësor

Azemi ngriti kritika edhe për mënyrën se si Komuna e Prishtinës është përfaqësuar në procesin gjyqësor lidhur me këtë çështje.

Sipas tij, NPB-ja tashmë përballet me një obligim prej mbi 32 milionë eurosh ndaj operatorëve privatë, ndërsa Komuna nuk kishte dërguar përfaqësuesin e saj ligjor në një nga seancat ku po shqyrtoheshin provat.

“Në një proces ku sot flitet për 32 milionë euro që tashmë, sipas vendimit të shkallës së dytë, Ndërmarrja Publike i ka obligim ndaj operatorëve privatë, Komuna nuk e ka dërguar as përfaqësuesin e vet ligjor në seancën ku po shqyrtoheshin provat dhe ku u dha fjala përfundimtare”, deklaroi ai.

Azemi e cilësoi këtë si dëshmi të asaj që ai e quajti “hipokrizi” të kryetarit Rama.

Gërbeshi: Çështjen e kemi ngritur që nga viti 2018

Në konferencën për media foli edhe asamblisti tjetër i LVV-së, Çlirim Gërbeshi.

Ai tha se gjatë deklarimeve të fundit të kryetarit Rama, LVV-ja ishte kritikuar për gjendjen e NPB-së, ndonëse, sipas tij, kjo parti kishte ngritur shqetësimet për ndërmarrjen që nga viti 2018.

“Lëvizja Vetëvendosje me asamblistët e saj që nga viti 2018 e kanë ngritur këtë çështje dhe këtë shqetësim”, tha Gërbeshi.

Ai pretendoi gjithashtu se menaxhmentet e kaluara, së bashku me PDK-në dhe LDK-në, kanë kontribuar në situatën në të cilën ndodhet sot NPB-ja.

“Shpendi bashkë me PDK-në e LDK-në e kanë çuar këtë ndërmarrje drejt falimentimit”, deklaroi Gërbeshi.

Rama: Kontrata u lidh gjatë kohës së qeverisjes së LVV-së në Prishtinë

Përplasja politike vjen një ditë pasi Përparim Rama kërkoi hetim për kontratën në Lakrishtë.

Rama ka theksuar se kontrata ishte iniciuar, negociuar dhe nënshkruar në vitin 2021, gjatë periudhës kur Prishtina drejtohej nga Vetëvendosje.

Sipas tij, administrata aktuale nuk kishte qenë pjesë e inicimit, negocimit apo nënshkrimit të kësaj kontrate.

Çështja e obligimeve prej mbi 32 milionë eurosh ka rikthyer kështu debatin politik për menaxhimin e NPB-së dhe përgjegjësinë institucionale për situatën financiare të ndërmarrjes.

Palët politike vazhdojnë t’ia atribuojnë njëra-tjetrës përgjegjësinë, ndërsa kërkesa për hetim të kontratës në Lakrishtë pritet të jetë pjesë e debatit publik edhe në ditët në vijim.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *