Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar ashpër ndaj pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në Skenderaj, duke e cilësuar situatën si “qytetrrethim”.
Në një konferencë për media të mbajtur në Skenderaj, Gucati akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, për tensionimin e situatës në këtë komunë pas incidentit të fundit ku u përfshi Sami Lushtaku.
Sipas tij, njësitë speciale të Policisë kanë qenë të vendosura në 17 pika të ndryshme të Skenderajt, gjë që ai e konsideroi të panevojshme dhe shqetësuese.
“Ne nuk kemi ardhur sot për vizitë, por sepse mbrëmë në Drenicë, veçanërisht në komunën e Skenderajt, ka pasur një situatë të rënduar sigurie. Në 17 pika kanë qenë të vendosura njësitë speciale me armë të gjata”, deklaroi Gucati.
Ai foli edhe për mosparaqitjen e Sami Lushtakut në polici lidhur me pretendimet për sulm ndaj kryetarit të qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani.
Gucati tha se Lushtaku nuk i shmanget drejtësisë, duke kujtuar se ai kishte vuajtur 12 vite burg gjatë administrimit të UNMIK-ut.
Sipas tij, arsyeja e mosparaqitjes lidhet me, siç u shpreh ai, “shembullin që ka dhënë Albin Kurti në raport me institucionet e drejtësisë”.
Në fund, Gucati paralajmëroi protesta në rast se ndaj Lushtakut përdoret forcë nga institucionet e sigurisë.
“Nëse përdoret dhunë ndaj Sami Lushtakut apo ndaj gjeneralëve të tjerë, reagimi do të vijë përmes protestave dhe demonstratave në gjithë Kosovën”, tha ai.
Situata në Skenderaj vazhdon të mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet e fundit kanë nxitur reagime të shumta politike dhe qytetare.
KAQPATA


