Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka realizuar për herë të parë kursin për intervenime speciale dhe kontroll të turmave në bashkëpunim me instruktorë nga Policia Ushtarake kroate.
Sipas njoftimit zyrtar, ky trajnim konsiderohet një hap i rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve operative të Policisë Ushtarake, pasi për herë të parë është integruar moduli i specializuar për intervenime të shpejta, kontroll të turmave dhe luftime në hapësira të mbyllura (CQB).
Gjatë kursit, pjesëtarët iu nënshtruan një programi intensiv teorik dhe praktik, me fokus në reagimin ndaj situatave të ndërlikuara të sigurisë dhe operacioneve speciale në terren.
“Ky kurs dëshmon transformimin e vazhdueshëm të Policisë Ushtarake në një njësi të gatshme për t’u ballafaquar me sfidat komplekse të sigurisë dhe për të vepruar në mjedise të ndryshme operacionale”, thuhet në njoftim.
Trajnimi vlerësohet si një tjetër hap drejt forcimit të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar dhe ngritjes profesionale të njësive të specializuara të FSK-së.
KAQPATA


