Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj edukatores me inicialet M.A., e akuzuar për keqtrajtim të dy fëmijëve të moshës 2-vjeçare në një kopsht privat në Ferizaj.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, e pandehura është dënuar me 11 muaj burgim për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, ndërsa për veprën “lëndim i lehtë trupor” i është shqiptuar një dënim prej 6 muajsh burg, i cili me pëlqimin e saj është zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 6 mijë eurosh.
Vendimi është marrë nga Departamenti për të Mitur, i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi, pas administrimit të provave personale dhe materiale gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Gjykata bëri të ditur se dënimi prej 11 muajsh burg do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa në të do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Po ashtu, ndaj edukatores është shqiptuar edhe masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të profesionit të edukatores për një periudhë prej pesë vitesh.
Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 4 dhe 5 nëntor 2025 në një kopsht fëmijësh në Ferizaj, ku edukatorja dyshohet se kishte keqpërdorur pozitën e saj ndaj dy fëmijëve që i ishin besuar për kujdes dhe edukim.
Gjykata thekson se ajo i kishte keqtrajtuar fëmijët duke përdorur dhunë fizike dhe psikologjike, duke i detyruar me forcë të flinin, duke i shtyrë, tërhequr për flokë dhe përplasur në dysheme.
Në një nga rastet, sipas gjykatës, edukatorja kishte kapur për flokësh njërin nga fëmijët, duke i shkaktuar dëmtime në lëkurën e kokës dhe lëndime trupore të lehta, të dokumentuara edhe përmes ekspertizës mjeko-ligjore.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Rasti kishte shkaktuar reagime të mëdha publike dhe shqetësim tek prindërit pas publikimit të dyshimeve për dhunë ndaj fëmijëve në institucionin parashkollor.
KAQPATA


