Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje publike për mobilizim dhe grumbullim para stacionit policor në Skenderaj, ku pritet të intervistohet kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, pas incidentit të ndodhur një ditë më parë në qytet.

Përmes një reagimi publik, OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje veteranëve dhe qytetarëve që të bashkohen në përkrahje të Lushtakut.

“Ftojmë të gjithë veteranët dhe qytetarët që ndjejnë respekt për luftën çlirimtare, që të nisen drejt Skenderajt dhe të bashkohen pranë stacionit të Policisë, ku pritet të intervistohet gjenerali Sami Lushtaku”, thuhet në reagimin e organizatës.

OVL e UÇK-së theksoi se, sipas tyre, momenti kërkon unitet dhe përkrahje për ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet, dinjitet dhe përkrahje për ata që i dolën zot atdheut në ditët më të vështira të historisë sonë”, thuhet më tej në reagim.

Organizata gjithashtu ka bërë apel që pjesëmarrja të jetë e qetë dhe dinjitoze, duke kërkuar respektim të rendit dhe frymës qytetare gjatë grumbullimit.

Ndërkohë, Sami Lushtaku po përballet me akuza nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila pretendon se ai ka sulmuar fizikisht kryetarin e degës së saj në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili mban edhe pozitën e zëvendësministrit.

Pas incidentit, Mehani mori trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës për lëndimet e pësuara.

Rasti ka nxitur reagime të shumta politike dhe qytetare, ndërsa situata në Skenderaj vazhdon të mbetet e tensionuar.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *