Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se më 1 korrik do të marrë vendim për 36 personat e ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, të cilët akuzohen për veprën penale “shkaktim i trazirave dhe rrezikim i rendit dhe qetësisë publike”.
Gjatë seancës gjyqësore, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Më 28 qershor, gjatë manifestimit në Gazimestan pranë Prishtinës, Policia e Kosovës ndaloi gjithsej 37 persona, duke arsyetuar se ata kishin provokuar turmën përmes brohoritjeve me përmbajtje që nxisnin urrejtje.
Njërit prej të ndaluarve iu shqiptua gjobë, ndërsa 36 të tjerët u proceduan në gjykatë, pa u caktuar masa e paraburgimit.
Avokati Nikolla Todoroviq deklaroi se dokumentet personale të identifikimit të të ndaluarve janë konfiskuar dhe se shumica e tyre janë shtetas serbë nga Serbia dhe vende të tjera të rajonit.
Sipas tij, disa prej tyre nuk mund të kthehen në vendet e tyre derisa gjykata të shpallë vendimin.
Në prag të manifestimit, Policia e Kosovës kishte shpërndarë njoftime ku paralajmëronte se nuk do të tolerohej mbajtja apo shfaqja e simboleve dhe parullave që nxisin urrejtje ndëretnike, fetare ose politike.
Gjatë tubimit, disa pjesëmarrës brohoritën parullën “Kosova është Serbi” dhe kënduan këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.
Ndërkohë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe deklaroi se nuk mbështet asnjë thirrje për urrejtje apo dhunë, por shprehu shqetësim për pretendimet se disa të ndaluar janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht gjatë ndalimit.
Sipas Kishës, pretendimet për goditje, fyerje, kërcënime dhe trajtim degradues duhet të hetohen seriozisht nga institucionet kompetente.
Deri më tani, këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Inspektorati Policor i Kosovës ende nuk ka dhënë përgjigje nëse ka pranuar ankesa apo ka nisur ndonjë hetim lidhur me veprimet e policisë gjatë manifestimit.
Ndërkohë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Lista Serbe kanë reaguar duke dënuar ndalimet, të cilat i kanë cilësuar si veprime represive ndaj pjesëmarrësve në shënimin e Vidovdanit.
KAQPATA


