Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë takim apo ftesë për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) lidhur me formimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
Sipas Hazirit, LDK-ja nuk ka pranuar asnjë ftesë për bashkëpunim dhe po ashtu nuk i ka ofruar ftesë asnjë subjekti politik.
“Më lejoni ta konfirmoj edhe një herë: as nuk kemi pasur ftesë, as nuk i kemi ofruar askujt. Parimet gjithëpërfshirëse sipas rezultatit të fundit zgjedhor e njohin të drejtën e partisë së parë dhe i njohin të drejtat tona si parti politike me peshën që e kanë dhënë qytetarët e Republikës”, deklaroi Haziri.
Ai shtoi se deri në këtë fazë nuk ka pasur asnjë takim mes LDK-së dhe LVV-së, duke theksuar se prioritet mbetet krijimi i stabilitetit institucional në vend.
“Takime nuk ka pasur deri tani që po flasim, sepse nuk ka pasur asnjë ftesë. Edhe ne kemi dalë me parim politik, kemi thënë që procesi politik kërkon që Kosova të vendosë normalitet dhe stabilitet institucional. Kjo është e tëra”, u shpreh ai.
Haziri i cilësoi si spekulime raportimet për një koalicion të mundshëm, duke theksuar se klima aktuale politike ka nxitur interpretime të ndryshme.
“Pjesët e tjera janë spekulative, janë konspiracione të Prishtinës. Përderisa ka krizë politike, do të ketë edhe këso spekulimesh, por LDK-ja është imune ndaj çdo oferte politike”, deklaroi nënkryetari i LDK-së.
Deklaratat e Hazirit vijnë në një kohë kur diskutimet për formimin e institucioneve të reja vazhdojnë të dominojnë skenën politike në Kosovë, ndërsa ende nuk ka sinjale për nisjen e negociatave zyrtare mes partive politike.
KAQPATA


