Dy persona janë arrestuar të dielën në një qendër tregtare, pas një incidenti fizik ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti.
Sipas raportimeve të mediave, njëri nga të arrestuarit është 16-vjeçar, ndërsa tjetri mbi 20-vjeç. Të dy raportohet se janë djem të një zyrtari policor me mbiemrin Aliu.
Incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një vendparkim, e cila më pas ka eskaluar në përplasje dhe konfrontim fizik.
Sipas dëshmisë së nënës së dy të arrestuarve, Hasene Aliu, në momentin e incidentit kapiteni Ahmeti ishte së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
Ajo ka konfirmuar arrestimin e dy djemve dhe ka thënë se ka qenë dëshmitare e ngjarjes.
Sipas saj, fillimisht është arrestuar djali i madh, ndërsa më vonë është arrestuar edhe djali i mitur.
Pretendime për dhunë në stacionin policor
Nëna e të arrestuarve ka ngritur gjithashtu pretendime se djali i saj i madh është përballur me dhunë fizike brenda Stacionit Policor në Graçanicë.
Sipas rrëfimit të saj, në stacion kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale, të cilët, sipas pretendimit të saj, kanë ushtruar dhunë ndaj të riut.
Këto janë pretendime të familjarëve dhe, deri në publikimin e këtij raportimi, nuk ka një konfirmim zyrtar për to.
Pas incidentit në qendrën tregtare, në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarë policorë nga Stacioni Policor në Graçanicë.
Në rast është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili pritet të trajtojë rrethanat e rastit dhe pretendimet e ngritura.
Ndërkohë, ende nuk janë bërë të ditura publikisht të gjitha rrethanat që kanë çuar në përleshjen mes palëve.
KAQPATA


