Mbetjet mortore të zbuluara në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të 23 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Por, për familjet, pritja për rezultatet e ADN-së është një tjetër periudhë e dhimbshme mes shpresës dhe frikës.

Për familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999, gjetja e një varreze masive nuk do të thotë domosdoshmërisht fundi i pritjes.

Në Kalludër të Vogël dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut, autoritetet kanë përfunduar zhvarrimet e mbetjeve mortore, ndërsa dyshimet janë se ato mund t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur.

Në mesin e personave që mund të jenë identifikuar përmes këtyre mbetjeve është edhe Idriz Rrecaj, veprimtar politik nga Skenderaj, i zhdukur më 19 prill 1999.

Vajza e tij, Flora Rrecaj, ka kaluar 27 vjet duke kërkuar përgjigje për fatin e babait.

Për të dhe familjen e saj, busti i Idriz Rrecajt në një park të Skenderajt ka qenë për vite me radhë vendi ku kanë mundur ta kujtojnë, pasi nuk kanë pasur një varr ku mund ta nderonin.

Tani, pas zbulimit të varrezave në Zubin Potok, shpresa për ta mbyllur këtë kapitull është rikthyer, por bashkë me të edhe frika nga rezultati përfundimtar.

“Janë ndjenja të përziera. Janë ndjenjat e dhimbjes, ndjenjat e shpresës, por janë edhe ndjenjat e frikës. Pas kaq shumë vitesh, tash e ke një frikë prej përgjigjes. Por, megjithatë, është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme të dihet e vërteta”, ka deklaruar Rrecaj.

Nga varreza masive deri te identifikimi i viktimave

Zhvarrimi është vetëm një nga fazat e një procesi që mund të zgjasë me muaj dhe, në raste të ndërlikuara, edhe më gjatë.

Pas sigurimit të lokacionit dhe autorizimeve përkatëse, mbetjet mortore ekzaminohen dhe dokumentohen nga ekspertët e mjekësisë ligjore. Nga eshtrat merren mostra që më pas dërgohen për analiza të ADN-së.

Mostrat krahasohen me profilet gjenetike të familjarëve të personave të zhdukur, në mënyrë që të përcaktohet identiteti i viktimave.

Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka theksuar se vetëm analiza dhe përputhja e ADN-së mund të japin konfirmim të sigurt për identitetin.

Edhe pse rrethanat, dëshmitë dhe numri i mbetjeve mund të krijojnë dyshime të forta se bëhet fjalë për viktimat e një grupi të caktuar, identifikimi përfundimtar bëhet vetëm përmes analizave shkencore.

Samira Krehiq, udhëheqëse e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur për Ballkanin Perëndimor, ka paralajmëruar se lokacioni i varrezës apo mënyra e zhdukjes nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar identitetin.

Sipas saj, ICMP-ja e konsideron një identifikim të konfirmuar vetëm kur lidhja gjenetike arrin nivelin e kërkuar të sigurisë.

Një pritje tjetër për familjet

Në mesin e familjeve që presin përgjigje është edhe ajo e Lutfije Ademi Vokshit.

Vëllai i saj, kirurgu Adem Ademi, është një nga 23 personat që dyshohet se mund të jenë varrosur në këtë zonë.

Kur u njoftua për gjetjen e mbetjeve mortore në Kalludër të Vogël, ajo përjetoi emocione të forta, pasi lokacioni ndodhet vetëm disa kilometra larg Drenës, ku prej vitesh kishte dyshime për fatin e vëllait të saj.

Megjithatë, edhe ajo duhet të presë rezultatet e analizave të ADN-së.

Kjo pritje është veçanërisht e rëndë për familjet që kanë kaluar më shumë se dy dekada pa një përgjigje.

Gjendja e mbetjeve, koha e kaluar, fragmentimi apo përzierja e eshtrave dhe cilësia e mostrave mund të ndikojnë në procesin e identifikimit. Në disa raste, analizat duhet të përsëriten ose të kërkohen mostra të tjera nga familjarët.

Mbi 1,500 persona ende të zhdukur

Çështja e personave të pagjetur mbetet një nga plagët më të rënda të pasluftës në Kosovë.

Sipas të dhënave të cituara nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1,577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.

Në total, sipas të njëjtit institucion, janë dokumentuar 12,230 viktima të luftës.

Për familjet e të zhdukurve, gjetja e mbetjeve mortore nuk është vetëm çështje drejtësie dhe dokumentimi historik. Është edhe mundësia për t’i dhënë fund një pritjeje që në shumë raste ka zgjatur për 27 vjet.

Kosova vazhdon të kërkojë nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në dokumentet e arkivat që mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

Për familjarët, megjithatë, çdo ditë e re pa një përgjigje mbetet një tjetër ditë pritjeje.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *