Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se marrëveshja me Italinë për qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin nuk do të zgjatet pas vitit 2030.

Në një intervistë për Euractiv, Hoxha bëri të ditur se marrëveshja aktuale është paraparë të zgjasë pesë vite dhe nuk pritet të rinovohet pas përfundimit të saj.

“Së pari, marrëveshja është për pesë vite dhe nuk jam i sigurt se do të ketë zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

Aktualisht, qeveria italiane e udhëhequr nga Giorgia Meloni po përdor qendrat në Gjadër dhe Shëngjin si struktura ndalimi për emigrantët që nuk kanë fituar azil në Itali, në kuadër të politikave për menaxhimin e migracionit.

Marrëveshja pesëvjeçare mes dy vendeve u ratifikua në fillim të vitit 2024 dhe ka shkaktuar debate politike dhe sfida ligjore në Itali. Për vazhdimin e saj pas vitit 2029 do të nevojitej një marrëveshje e re, në një periudhë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Hoxha theksoi se pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, këto qendra nuk mund të trajtohen më si territor ekstraterritorial.

“Pasi Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ky territor do të konsiderohet territor i BE-së”, u shpreh ai.

Në Itali, autoritetet u detyruan të ndryshojnë funksionin e qendrave për shkak të sfidave ligjore, duke i kthyer ato nga qendra pritjeje në qendra ndalimi për emigrantët me kërkesa të refuzuara azili, në pritje të riatdhesimit.

Megjithatë, në muajin prill, marrëveshja mori mbështetje të rëndësishme pasi një avokat i përgjithshëm pranë Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian vlerësoi se skema është në përputhje me ligjin evropian.

Hoxha shtoi se Shqipëria ka mbetur një partnere e besueshme për Italinë në këtë proces.

“Italisë i duhej ndihmë. Ne ndihmuam dhe kjo nuk mund të harrohet”, deklaroi ministri shqiptar.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *