Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë rikthehet sot në qendër të diskutimeve në Bruksel, ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të shqyrtojnë progresin e vendit në kuadër të negociatave për anëtarësim.
Sipas dokumenteve zyrtare të Këshillit të BE-së, Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet Kandidate (COELA) do të zhvillojë një “shkëmbim pikëpamjesh” lidhur me draft-pozicionin e përbashkët për Shqipërinë.
Diskutimet bazohen në Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR), i cili analizon ecurinë e Shqipërisë në Grupkapitullin 1 “Themeloret”, një nga kapitujt më të rëndësishëm të procesit negociues.
Ky grupkapitull përfshin fusha kyçe si:
- sundimi i ligjit,
- lufta kundër korrupsionit,
- funksionimi i institucioneve të drejtësisë,
- dhe liria e medias.
Burime evropiane bëjnë të ditur se procesi tashmë ka kaluar nga faza teknike në një nivel më politik, ku vendet anëtare po harmonizojnë qëndrimet e tyre për progresin e Shqipërisë drejt BE-së.
Megjithatë, fakti që diskutimi po zhvillohet në formën e një “shkëmbimi pikëpamjesh” tregon se ende nuk ekziston një konsensus i plotë mes shteteve anëtare dhe se nuk pritet një vendim përfundimtar në këtë fazë.
Sipas zyrtarëve evropianë, kjo procedurë është pjesë normale e metodologjisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku çdo hap kërkon dakordësi të plotë nga të gjitha vendet anëtare.
Ata theksojnë gjithashtu se vonesat apo mungesa e vendimeve të menjëhershme janë të zakonshme, pasi grupi i punës trajton paralelisht të gjitha shtetet që synojnë anëtarësimin në BE.
Shqyrtimi i raportit IBAR për kapitullin “Themeloret” konsiderohet vendimtar për ritmin e mëtejshëm të negociatave dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.
KAQPATA


