Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke paralajmëruar se vazhdimi i ngërçit politik po i shkakton vendit humbje të mundësive të rëndësishme.
Në një deklaratë për media, ambasada amerikane theksoi se udhëheqësit politikë duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe të vendosin interesin e qytetarëve mbi kalkulimet partiake.
“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës me mundësi të humbura. Ka ardhur koha që liderët t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.
Sipas misionit diplomatik amerikan, liderët politikë duhet të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Qytetarët e Kosovës presin nga liderët e tyre që ta përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit”, theksohet më tej.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve më 26 qershor, ndërsa certifikimi i tyre është planifikuar të përfundojë deri më 6 korrik.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, një nga sfidat kryesore mbetet zgjedhja e presidentit të ri të vendit. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pas konstituimit të Kuvendit, procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të përfundojë brenda 60 ditëve.
Rezultatet preliminare tregojnë se asnjë parti politike nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të formuar e vetme institucionet e reja, duke e bërë të domosdoshëm arritjen e marrëveshjeve ndërmjet subjekteve politike.
Bazuar në rezultatet aktuale, Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.91 për qind të votave dhe pritet të ketë 48 deputetë, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind dhe 24 deputetë, si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind dhe 20 deputetë.
Në këtë situatë, formimi i institucioneve dhe zgjedhja e presidentit pritet të jenë temat kryesore të skenës politike në javët e ardhshme.
KAQPATA


