Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot nga ora 11:00, me pikë kryesore të rendit të ditës zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca e Legjislaturës së XI-të kishte nisur më 6 gusht 2026, por procesi i konstituimit nuk ishte përmbyllur. Deputetët kanë dhënë betimin, ndërsa mbeti pa u zgjedhur kryetari i Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti që ka dalë i pari në zgjedhje, deri në atë fazë nuk kishte paraqitur kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Ndërkohë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka thirrur vazhdimin e seancës për sot, duke theksuar nevojën që procesi të mos zvarritet më tej.
Situata mbetet e ndërlikuar edhe për shkak të mungesës së një konsensusi të plotë politik. AAK ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se deputetët e Vetëvendosjes do të jenë të pranishëm dhe se do të vazhdojnë diskutimet për zgjedhjen e Presidentit.
Në anën tjetër, KDI ka vlerësuar se Kuvendi mund të konstituohet edhe pas tejkalimit të afatit kushtetues 30-ditor, por ka kërkuar qartësi juridike lidhur me pasojat e tejkalimit të këtij afati.
Vëmendja sot është përqendruar te pyetja nëse do të sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve dhe nëse Kuvendi do të arrijë të përmbyllë procesin e konstituimit.
KAQPATA


