Banorët e fshatit Zvërnec në jug të Shqipërisë po kundërshtojnë një projekt miliardësh për ndërtimin e një resorti luksoz, ku investitorë janë përfshirë edhe persona të lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas një raportimi të agjencisë Reuters, disa banorë pretendojnë se pronat e tyre janë përfshirë në projekt pa pëlqimin e tyre dhe pa marrë kompensim.

Njëri prej tyre, 81-vjeçari Kostaq Konomi, tha se u pengua të hynte në tokën që e konsideron pronë të tij, pasi zona tashmë ishte rrethuar me gardh dhe ruhej nga persona të sigurisë.

“Kur pashë se toka ime ishte bërë pjesë e projektit, u ndjeva i tradhtuar”, deklaroi ai për Reuters.

Banorët pretendojnë se parcelat e tyre janë shitur padrejtësisht për zhvillim që nga viti 2024. Disa prej tyre kanë paraqitur dokumente pronësie dhe të dhëna tatimore që, sipas tyre, mbështesin pretendimet për pronësinë e tokës.

Megjithatë, Reuters thekson se nuk ka gjetur prova që lidhin drejtpërdrejt Jared Kushnerin me ndonjë shkelje ligjore. Agjencia nuk ka mundur të përcaktojë me siguri se kujt i takojnë ligjërisht parcelat e kontestuara, pasi çështja vazhdon të jetë objekt i proceseve gjyqësore.

Projekti i resortit është bërë një nga investimet më të diskutuara në Shqipëri, pasi përfshin një zonë të ndjeshme mjedisore me ligatina të mbrojtura, habitat natyror për flamingot, fokat dhe breshkat e detit.

Kundërshtimet ndaj projektit kanë nxitur protesta në Tiranë, ndërsa edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime lidhur me ndikimin e mundshëm në mjedis dhe transparencën e procesit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbrojtur projektin, duke deklaruar se zhvillimi është plotësisht i ligjshëm dhe se mbrojtja e mjedisit do të garantohet.

Ndërkohë, kompania zhvilluese Sazan Real Estate Development LLC nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters lidhur me mosmarrëveshjet për pronën, por kryetari i saj, Asher Abehsera, deklaroi se synimi i projektit është promovimi i bukurive natyrore të Shqipërisë, krijimi i vendeve të reja të punës dhe zhvillimi ekonomik afatgjatë.

Sipas Reuters, interesi i Jared Kushnerit për këtë zonë lindi pas një vizite me jaht në bregdetin shqiptar së bashku me bashkëshorten e tij, Ivanka Trump. Më pas, ai diskutoi mundësitë e investimit me kryeministrin Rama gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Planet për resortin u prezantuan publikisht në vitin 2024 dhe përfshijnë hoteleri luksoze, vila, marina për jahte dhe infrastrukturë turistike në një nga zonat më të paprekura të bregdetit shqiptar.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *