Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar një raport të ri për Ballkanin Perëndimor, ku theksohet se stabiliteti i rajonit dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane janë të rëndësishme për sigurinë dhe prosperitetin e Shteteve të Bashkuara.

Në dokumentin me titull “Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, DASH vlerëson se kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë politike vazhdojnë ta minojnë stabilitetin rajonal.

Raporti thekson se SHBA-ja po zhvendos fokusin nga qasja e mëhershme e “rindërtimit dhe shpëtimit” drejt partneriteteve strategjike, stabilitetit afatgjatë dhe përgjegjësisë më të madhe të shteteve të rajonit.

Sipas dokumentit, prioritetet kryesore amerikane në Ballkanin Perëndimor përfshijnë:

  • ruajtjen e stabilitetit rajonal,
  • luftimin e ndikimit rus dhe kinez,
  • forcimin e bashkëpunimit ekonomik,
  • investimet në energji dhe infrastrukturë,
  • luftën kundër krimit të organizuar,
  • si dhe rritjen e bashkëpunimit në siguri.

Në raport, Rusia dhe Kina përmenden si faktorë që përpiqen të shfrytëzojnë korrupsionin, paqëndrueshmërinë dhe dobësitë institucionale në rajon.

Për Rusinë thuhet se nxit tensione etnike dhe mbështet aktorë destabilizues, ndërsa Kina akuzohet për përdorimin e tregtisë, kredive shtetërore dhe propagandës për zgjerimin e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor.

Dokumenti ndalet edhe te krimi i organizuar, duke paralajmëruar se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së, për shkak të lidhjeve me trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe krimin kibernetik.

Çfarë thuhet për Kosovën?

Sa i përket Kosovës, raporti nënvizon se SHBA-ja vazhdon t’i inkurajojë Kosovën dhe Serbinë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Dokumenti rikujton se marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është arritur më 2023, por deri tani nuk ka pasur hapa konkretë për zbatimin e saj nga të dyja palët.

Në aspektin e sigurisë, DASH vlerëson rolin e KFOR-it si kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë, duke theksuar se trupat amerikane vazhdojnë të jenë pjesë e misionit.

Raporti gjithashtu mbështet transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale dhe përmend projektet energjetike, përfshirë modernizimin e termocentraleve dhe projektet e gazifikimit.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *