Qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora janë nisur drejt Prishtinës për t’iu bashkuar Marshit të Lirisë, i cili zhvillohet sot në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Dhjetëra qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë kaluar përmes pikës kufitare të Morinit, duke iu drejtuar Kosovës për të marrë pjesë në marshimin e paralajmëruar në Prishtinë.
Në mesin e pjesëmarrësve janë edhe qytetarë shqiptarë nga diaspora, të cilët kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të Evropës për t’iu bashkuar tubimit.
Sipas raportimeve, një grup emigrantësh të ardhur nga Zvicra ka kaluar kufirin përmes Morinit, me destinacion Prishtinën.
Marshi i sotëm synon të shprehë solidaritetin me ish-drejtuesit e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Pritet që në marshim të marrin pjesë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora, ndërsa Prishtina pritet të jetë në qendër të një tubimi me pjesëmarrje të gjerë.
KAQPATA


