Prishtinë – Një nga premtimet më të bujshme të fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2025 në Prishtinë, projekti i tramit elektrik, ende nuk është realizuar, ndonëse afati i premtuar për nisjen e funksionimit ishte qershori i vitit 2026.
Gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e kishte prezantuar tramin si një zgjidhje moderne për transportin publik dhe uljen e trafikut në kryeqytet, duke e paraqitur si një projekt transformues për qytetin.
Në prezantimet e atëhershme, projekti u promovua si një sistem transporti i ri që do të funksiononte me kapacitet të lartë udhëtarësh dhe do të përshtatej me infrastrukturën ekzistuese të qytetit, duke synuar reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e lëvizjes urbane.
Më 26 shtator 2025, Rama kishte deklaruar publikisht se “tramvaji me rrymë do të nisë lëvizjen për herë të parë në Prishtinë”, duke e cilësuar si fillim të një epoke të re në transportin publik. Pak ditë më vonë, më 6 tetor 2025, ai njoftoi se projekti kishte hyrë zyrtarisht në fazën e zbatimit përmes bashkëpunimit me operatorë privatë.
Premtimi u përsërit edhe pas zgjedhjeve lokale. Më 29 dhjetor 2025, Rama deklaroi se trami elektrik do të ishte funksional në qershor 2026, ndërsa më vonë bëri të ditur se ishin nënshkruar edhe kontrata për realizimin e projektit.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave publike dhe afatit të përcaktuar, deri tani nuk janë prezantuar detaje konkrete për nisjen e punimeve, financimin apo fazën aktuale të implementimit të projektit.
Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë ende sqarime zyrtare për ecurinë e projektit, ndërsa nuk ka as njoftime për fillimin e ndërtimit apo për afate të reja.
Në mungesë të informacionit zyrtar, mbetet e paqartë nëse projekti i tramit është vonuar, rishikuar apo nëse afati i qershorit 2026 do të shtyhet.
KAQPATA


