Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, kanë kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën e krijuar në Kuvend dhe ngërçin institucional në vend.
Deklaratat e tyre u bënë në Kuvendin e Kosovës, ku deputetë të PDK-së dhe Aleancës janë mbledhur për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Tahiri tha se, pavarësisht mbështetjes që Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë marrë në zgjedhje, sipas tij, qasja aktuale politike po pengon funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
“Po e shohim dhe besoj shumë që janë vetëdijësuar qytetarët e Republikës së Kosovës e më së shumti votuesit e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes që Albin Kurtit nuk po i mjafton pushteti 100%. Ai e do përmbysjen e shtetit”, deklaroi Tahiri.
Ai kritikoi edhe takimet mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke kërkuar që palët të arrijnë një marrëveshje politike për tejkalimin e ngërçit.
“Pse nuk po e mbërrin marrëveshjen politike? Pse nuk po e gjejnë kandidatin e përbashkët? Pse nuk po vjen Kuvendi me funksionalizu Kuvendin, se presidenti që ka me u zgjedh ka me u zgjedh prej këtij Kuvendi?”, u shpreh Tahiri.
Sipas tij, bllokada institucionale po krijon pasiguri dhe po cenon funksionimin normal të institucioneve të shtetit.
Tahiri tha se deputetët opozitarë do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në Kuvend dhe të kundërshtojnë atë që e konsiderojnë bllokim institucional.
“Na në vazhdimësi jemi këtu, bashkë me kolegët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës… kur është në pyetje shteti i Kosovës nuk nënshtrohemi, nuk dorëzohemi”, deklaroi ai.
Ramadani: Ne po flasim për shtetin, ata për pushtetin
Ndërkohë, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se situata aktuale nuk duhet të shihet vetëm si një përplasje mes partive politike, por si një çështje që prek funksionimin e shtetit dhe jetën e qytetarëve.
“Ne po flasim për shtetin. Ata për pushtetin. Ne po flasim për jetën e qytetarëve. Ata veç për poste”, tha Ramadani.
Ai kritikoi deputetët e Vetëvendosjes për, siç pretendoi ai, mungesën në Kuvend, duke deklaruar se disa prej tyre ndodhen jashtë vendit, ndërsa të tjerë janë të angazhuar në biznes apo në pozita qeveritare.
Ramadani tha se qytetarët po përballen me pasiguri dhe se kjo situatë nuk mund të zgjidhet përmes bllokadave institucionale.
“Qytetari pyet: A po punon shteti?”, u shpreh ai.
Ramadani kritikoi gjithashtu mënyrën se si po zhvillohen diskutimet politike për tejkalimin e krizës, duke pretenduar se vëmendja është përqendruar më shumë te ndarja e posteve sesa te funksionalizimi i institucioneve.
“Kush-çfarë posti po merr! Kush-kujt po i propozon një emër për një post”, deklaroi Ramadani.
Tahiri: Qytetarët presin punë dhe rezultate
Në fund, Tahiri tha se qytetarët e Kosovës presin nga institucionet punë konkrete, projekte dhe rezultate, duke theksuar nevojën për më shumë drejtësi dhe barazi, veçanërisht për të rinjtë.
“Qytetarët e Kosovës presin punë, presin projekte konkrete dhe presin rezultate të cilat janë në dobi të tyre”, tha Tahiri.
PDK dhe Aleanca kanë bërë thirrje për funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e kundërshtimit politik ndaj asaj që e konsiderojnë bllokim institucional.
KAQPATA


