Ka nisur zyrtarisht rikonstruktimi i rrugës rajonale R110 Arllat–Malishevë, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që lidh komunat e Drenasit dhe Malishevës dhe që synon përmirësimin e qarkullimit, sigurisë rrugore dhe zhvillimit ekonomik të zonës.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha.

Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për qytetarët dhe bizneset lokale, duke nënvizuar se rruga do të lehtësojë lidhjen e Malishevës me rrugët rajonale dhe nacionale.

“Ky segment nis në Arllat, vazhdon në Terpezë të Ulët dhe Terpezë të Lartë, për të përfunduar në Malishevë. Përmirësimi i kësaj rruge do të rrisë sigurinë në komunikacion dhe do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se projekti përfshin standarde moderne të ndërtimit, si dhe rehabilitimin e pjesëve të rrugës të prekura nga rrëshqitjet e dheut.

Ndërkohë, ministri në detyrë Dimal Basha bëri të ditur se Qeveria po realizon investime të konsiderueshme në komunën e Malishevës.

“Vetëm për këtë projekt po investohen mbi 1.8 milion euro. Në total, brenda dy muajve, investimet e Qeverisë në Malishevë tejkalojnë vlerën prej 4.2 milionë eurosh”, tha Basha.

Sipas të dhënave zyrtare, segmenti që do t’i nënshtrohet rikonstruktimit ka gjatësi prej 11.765 metrash, ndërsa vlera e projektit arrin në 1,847,061.21 euro.

Afati për realizimin e punimeve është përcaktuar 150 ditë pune.

Autoritetet theksojnë se projekti do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë në trafik dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Arllatit dhe Malishevës.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *