Tensione dhe grumbullim qytetarësh janë raportuar pasditen e së premtes para stacionit policor në Skenderaj, ku pritet të intervistohet kryetari i komunës, Sami Lushtaku, lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë në një lokal të qytetit.
Në mesin e të pranishmëve është parë edhe ish-deputeti Mërgim Lushtaku, ndërsa qytetarët janë mbledhur në shenjë përkrahjeje ndaj Sami Lushtakut, pas zhvillimeve të fundit që kanë nxitur reagime të shumta politike dhe publike.
Intervistimi i Lushtakut lidhet me pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilave ai dyshohet se ka sulmuar kryetarin e degës së VV-së në Skenderaj dhe njëherësh zëvendësministrin e Financave, Hysni Mehani. Ky i fundit u trajtua në Spitalin e Mitrovicës pas lëndimeve të marra në kokë.
Sami Lushtaku ka mohuar publikisht përfshirjen në sulm, duke deklaruar se reagimi i qytetarëve ka ardhur pasi, sipas tij, Mehani iu drejtua me fjalët “Sami Serbia”.
Lidhur me rastin, deri më tani janë arrestuar dy persona. Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte bërë të ditur se Lushtaku dhe një person tjetër ishin ftuar për intervistim, por sipas prokurorisë, nuk i ishin përgjigjur fillimisht ftesës.
Megjithatë, këtë pretendim e ka kundërshtuar nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili deklaroi se deri në paraditen e sotme nuk kishte pasur ftesë zyrtare për Lushtakun.
Situata në Skenderaj po vazhdon të ndiqet me interes të madh publik, ndërsa pritet që zhvillimet e ardhshme të sjellin më shumë detaje rreth rastit.
KAQPATA


