Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar punën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), duke e cilësuar këtë institucion si kyç për ruajtjen e integritetit, llogaridhënies dhe besimit publik në shtet.

Gjatë vizitës në IPK, Kurti deklaroi se fuqia e institucioneve të sigurisë nuk matet vetëm me kapacitetin operacional, por edhe me kontrollin e brendshëm dhe përgjegjësinë institucionale.

“Në çdo shtet demokratik, forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin e tyre operacional, por edhe me integritetin, llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm që ato ushtrojnë mbi veten e tyre”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, IPK-ja është mekanizmi që garanton zbatimin e ligjit edhe brenda vetë sistemit të sigurisë, duke dërguar mesazhin se askush nuk është mbi ligjin.

Ai përmendi edhe operacionet “Pika” dhe “Pika 2”, ku janë ndërmarrë aksione ndaj dhjetëra zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Janë ndërmarrë veprime ndaj dhjetëra zyrtarëve policorë të përfshirë në raste të korrupsionit apo keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke dërguar një mesazh të qartë institucional: ligji zbatohet pa përjashtim”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë tha se IPK ka zgjeruar praninë institucionale në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri, gjë që sipas tij ka ndikuar në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë.

Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për IPK-në në drejtim të forcimit të kapaciteteve profesionale, garantimit të pavarësisë funksionale dhe modernizimit teknologjik.

“Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë”, theksoi Kurti.

Në fund, ai bëri thirrje që ankesat e qytetarëve të trajtohen si bashkëpunim me shtetin dhe institucionet.

“Ankesat e qytetarëve duhet përherë t’i konsiderojmë si kërkesa për bashkëpunim me shtetin”, përfundoi ai.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *