Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra ka arritur një sukses historik, duke siguruar kualifikimin në fazën “play-off” të Kupës së Botës 2027. Dardanet triumfuan me rezultat të thellë 8:0 ndaj Gjibraltarit dhe njëkohësisht siguruan promovimin në Ligën B për ciklin e ardhshëm kualifikues.
Kosova e nisi ndeshjen në mënyrë të furishme, duke kaluar në epërsi që në minutën e tretë me golin e Donjeta Halilajt. Vetëm katër minuta më vonë, Erëleta Memeti dyfishoi rezultatin, ndërsa Kaltrina Biqkaj shënoi për 3:0 në minutën e 14-të.
Dominimi i Dardaneve vazhdoi gjatë gjithë pjesës së parë. Memeti realizoi golin e saj të dytë personal për 4:0 në minutën e 21-të, ndërsa Blerta Smaili vulosi rezultatin 5:0 para pushimit.
Në pjesën e dytë, Kosova nuk e uli ritmin. Modesta Uka realizoi golin e gjashtë në minutën e 68-të, ndërsa Smaili shënoi sërish për 7:0 në minutën e 76-të. Golin e fundit dhe rezultatin përfundimtar 8:0 e realizoi Gentiana Fetaj në minutën e 84-të.
Falë kësaj fitoreje bindëse, Kosova e mbylli Grupin 2 të Ligës C në vendin e parë me 15 pikë, po aq sa Kroacia, por me golavarazh më të mirë.
Ky rezultat historik i siguron Kosovës kalimin në Ligën B dhe pjesëmarrjen në “play-off”-in e kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, duke konfirmuar progresin e jashtëzakonshëm të futbollit të femrave në vend.
KAQPATA


