Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, pasi në Gjakovë kanë nisur punimet për ndërtimin e kompleksit të parë industrial për prodhimin e municioneve.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë vizituar kantierin e ndërtimit në Jahoc të Gjakovës, ku tashmë kanë nisur punimet për këtë projekt strategjik.

Sipas Maqedoncit, kompleksi do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 19 hektarësh, brenda rreth 140 hektarëve të ndarë nga Qeveria e Kosovës për industrinë e mbrojtjes në këtë zonë.

Ai theksoi se bëhet fjalë për fabrikën e parë të municioneve me prodhim “Made in Kosova”, ndërsa paralelisht në Turqi po përfundon prodhimi i makinerive, laboratorëve dhe pajisjeve teknike që do të përdoren në këtë kompleks.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se personeli kosovar së shpejti do të dërgohet për specializim nga kompania turke MKE, para nisjes së prodhimit vendor.

Në këtë fabrikë pritet të prodhohen municione të kalibrit 5.56 mm dhe 7.62 mm, të cilat përdoren gjerësisht nga forcat ushtarake dhe të sigurisë.

Maqedonci e cilësoi këtë projekt si një “hap historik” drejt fuqizimit të industrisë së mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve strategjike të sigurisë së Kosovës.

“Kosova po ndërton kapacitete strategjike dhe po ecën përpara”, deklaroi ai.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *