Irani ka lëshuar raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, në një zhvillim të ri të tensioneve të përshkallëzuara me Shtetet e Bashkuara.
Sipas Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), nga shtatë raketa të lëshuara, gjashtë janë interceptuar me sukses, ndërsa e shtata nuk ka arritur objektivin e saj. Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale.
Autoritetet iraniane, përmes agjencisë shtetërore IRNA, kanë deklaruar se objektiv i sulmit ishin baza ajrore Ali Al Salem në Kuvajt dhe Flota e Pestë e Marinës amerikane në Bahrein. Megjithatë, pala amerikane ka mohuar se është prekur selia e Flotës së Pestë.
Në një reagim të ndarë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) tha se sulmet janë përgjigje ndaj goditjeve të mëhershme amerikane ndaj infrastrukturës iraniane.
Nga ana tjetër, ushtria amerikane ka konfirmuar se ka goditur disa objektiva radarikë në territorin iranian dhe ka rrëzuar dronë që, sipas saj, përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë për anijet në Ngushticën e Hormuzit.
IRGC ka paralajmëruar se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të çojë në masa ekstreme, përfshirë edhe bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më strategjike globale për transportin e naftës.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet mes dy vendeve, të cilat zyrtarisht ndodhen nën një armëpushim të brishtë.
KAQPATA


