Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se qytetarët e Gjilanit dhe të gjithë rajonit të Anamoravës janë përcaktuar për ndryshim në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Gjatë një tubimi elektoral në Gjilan, Hamza tha se mesazhi që po vjen nga ky rajon është i qartë: kundër krizës ekonomike, çmimeve të larta dhe mungesës së perspektivës për qytetarët.

“Gjilani i prin ndryshimit në Anamoravë. Gjilani ka vendosur t’i thotë stop krizës, stop çmimeve të larta, pagave të ulëta dhe mungesës së shpresës. Gjilani ka vendosur të votojë ndryshe, për ta ndryshuar Kosovën”, deklaroi Hamza para mbështetësve.

Ai theksoi se programi qeverisës i PDK-së synon të ofrojë zgjidhje konkrete për sfidat ekonomike dhe sociale me të cilat përballen qytetarët, duke premtuar rritje të mirëqenies dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Sipas Hamzës, prioritetet e programit përfshijnë uljen e barrës financiare për familjet, rritjen e pagave dhe pensioneve, mbështetjen e bizneseve vendore, investimet në energji, infrastrukturë dhe teknologji, si dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.

Kandidati i PDK-së tha se zgjedhjet e 7 qershorit përfaqësojnë një mundësi për të ndryshuar drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një Kosovë me më shumë zhvillim ekonomik, siguri dhe perspektivë.

“Stop krizës. Ndrysho Kosovën”, mbetet slogani kryesor me të cilin Partia Demokratike e Kosovës po kërkon mbështetjen e qytetarëve në këto zgjedhje parlamentare.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *