Kandidati për kryeministër i koalicionit me numrin 128, Ardian Gjini, ka ashpërsuar kritikat ndaj qeverisjes aktuale gjatë një tubimi zgjedhor në Prizren, duke akuzuar pushtetin se po përdor frikën nga Serbia si mjet politik për të mbajtur kontrollin dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme.

Në fjalimin e tij, Gjini tha se politika duhet të ndërtohet mbi vizionin dhe synimet e përbashkëta për qytetarët, e jo mbi përçarje dhe sulme ndaj kundërshtarëve politikë.

Sipas tij, kur mungon një projekt i qartë për zhvillimin e vendit, energjia politike shndërrohet në përplasje të vazhdueshme, ndërsa qytetarët mbeten pa zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.

Gjini përmendi edhe momente historike që, sipas tij, dëshmojnë mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën. Ai theksoi se Marrëveshja e Kumanovës dhe ndërhyrja e NATO-s kanë qenë mesazhe të qarta se Kosova nuk është e vetme dhe se siguria e saj mbështetet nga aleatët strategjikë.

Duke folur për retorikën politike që lidhet me Serbinë, Gjini deklaroi se qytetarët nuk duhet të bien pre e frikës së vazhdueshme që, sipas tij, përdoret për të mbuluar korrupsionin dhe mungesën e rezultateve.

“Sa herë që dëgjoni dikë duke thënë vazhdimisht ‘Serbia, Serbia, Serbia’, dijeni se po përpiqet të mbajë njerëzit në frikë. Nuk kemi arsye të jetojmë në ankth të përhershëm. Serbia nuk do të guxojë më të cenojë Kosovën, ndërsa disa politikanë po e përdorin këtë temë për të ruajtur pushtetin”, deklaroi Gjini para mbështetësve në Prizren.

Fjalimi i tij vjen në kuadër të aktiviteteve elektorale të koalicionit 128, i cili po vazhdon fushatën në qytete të ndryshme të Kosovës para zgjedhjeve.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *