Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe ambasadorëve të huaj që të mos ndërhyjnë politikisht në procesin gjyqësor.
Gucati ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me deklaratat e fundit të përfaqësuesve ndërkombëtarë se procesi në Dhomat e Specializuara nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë dhe se palët kanë të drejtë ankese.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i OVL-UÇK-së ka kritikuar këtë qasje, duke pretenduar se deklaratat e tilla mund të krijojnë përshtypjen se një vendim eventual dënues në shkallën e parë mund të ndryshohet më vonë në Apel.
“Veç çka nuk po thonë direkt: ‘Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm’”, ka shkruar Gucati.
Sipas tij, një qasje e tillë do të përbënte “lojë të pistë politike me shkallët e drejtësisë”.
Gucati ka argumentuar se një vendim eventual dënues në shkallën e parë do të mund të kishte pasoja politike dhe diplomatike për Kosovën, edhe nëse më vonë do të ndryshohej nga Apeli.
“Një vendim i padrejtë në shkallën e parë nuk zhbëhet me një pafajësi në shkallën e dytë. Dëmi për Kosovën bëhet atë ditë. Historia rishkruhet atë ditë. Serbia e shfrytëzon atë ditë”, ka deklaruar ai.
Kreu i OVL-UÇK-së pretendon se Serbia do ta përdorte një vendim të tillë në arenën ndërkombëtare, përfshirë në Kombet e Bashkuara, si pjesë të fushatës së saj diplomatike kundër Kosovës.
Ai ka kritikuar gjithashtu punën e Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se gjatë viteve të funksionimit të tyre është krijuar një narrativë që, sipas tij, i ka shërbyer Serbisë.
Gucati ka paralajmëruar se pasojat e një vendimi që do ta lidhte luftën e UÇK-së me kriminalitetin nuk do të prekeshin vetëm nga katër ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen.
“Nga ajo sallë do të kriminalizohej botërisht lufta e UÇK-së. Dhe bashkë me të do të prekej edhe legjitimiteti i çlirimit të Kosovës, intervenimi i NATO-s dhe vetë shtetësia e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e tensioneve të reja në rast se vendimi i shkallës së parë konsiderohet i padrejtë nga veteranët e luftës.
“Vendimi i padrejtë nuk sjell paqe, por konflikt”, ka deklaruar Gucati.
Në fund, ai u ka bërë thirrje BE-së dhe përfaqësive diplomatike që të mos bëjnë politikë me procesin gjyqësor në Hagë.
“Mos luani më shumë me plagët tona! Mos e bëni këtë gabim!”, ka përfunduar Gucati.
KAQPATA


