Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës. Emrat e tyre janë bërë publikë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku e bëri të ditur këtë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, duke shprehur shqetësim për zhvillimet brenda partisë dhe për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Sipas tij, Kryesia e LDK-së e kishte miratuar në mënyrë unanime kandidaturën e Bekim Sejdiut, pa asnjë votë kundër.
“Bekim Sejdiu njihet si një Rugovist i jashtëzakonshëm. Në mënyrë unanime, pa asnjë votë kundër, votuan për kandidaturën e Bekim Sejdiut”, deklaroi Abdixhiku.
Megjithatë, pas diskutimeve në Grupin Parlamentar, gjashtë deputetë të LDK-së kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë kandidaturën e Sejdiut.
Abdixhiku përmendi me emër Abdullah Hotin, Arben Gashin, Armend Zemajn, Hykmete Bajramin, Kujtim Shalën dhe Janina Ymerin.
“Me keqardhje për popullin e Kosovës dhe për procesin në të cilin jemi, gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së”, tha ai.
Kreu i LDK-së e konsideroi këtë qëndrim si goditje të rëndë për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke paralajmëruar se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“E konsideroj që i bëjnë dëm të pariparueshëm gjithë procesit dhe, pashmangshëm, duke e humbur një mundësi të madhe, e dërgojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se çështja, sipas tij, nuk duhet të shihet si një përplasje personale apo politike, por si një çështje me rëndësi institucionale për Republikën e Kosovës.
“S’ka qenë betejë për mua, por për Republikën e Kosovës. Kemi pasur një njeri të jashtëzakonshëm të balancës institucionale”, deklaroi Abdixhiku.
Zhvillimet e fundit brenda LDK-së pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe në përpjekjet për të shmangur një tjetër krizë institucionale në Kosovë.
KAQPATA


