Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Grazit në Austri, ku një 24-vjeçare shqiptare është gjetur e pajetë në apartamentin ku jetonte me partnerin e saj.
Viktima është identifikuar si Abigel Laçi, me origjinë nga Vlora. Sipas raportimeve të mediave austriake, e reja dyshohet se është vrarë pasi është goditur me çekiç.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së enjtes, më 3 shtator, në një apartament në qendër të Grazit. Policia është njoftuar rreth orës 12:40 dhe, pasi ka mbërritur në vendngjarje, ka gjetur 24-vjeçaren pa shenja jete.
Autoritetet dyshojnë se viktima ka humbur jetën në vend, si pasojë e plagëve të marra.
Në lidhje me ngjarjen është arrestuar një 23-vjeçar, i cili është gjetur në shkallët e pallatit dhe, sipas dëshmitarëve, ishte i mbuluar me gjak.
Fillimisht, policia bëri të ditur se i riu kishte lidhje familjare me viktimën. Më pas u raportua se bëhej fjalë për vëllain e partnerit të Abigel Laçit.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, 23-vjeçari dyshohet se ka shkuar i vetëm në apartament dhe ka hyrë me forcë. Në atë moment, Abigel ndodhej e vetme në banesë, pasi partneri i saj nuk ishte aty.
Hetuesit dyshojnë se çekiçi është përdorur si mjet në kryerjen e krimit. Megjithatë, për shkak se hetimi është ende në zhvillim, autoritetet nuk kanë bërë publike të gjitha rrethanat e ngjarjes.
I dyshuari ka zgjedhur të heshtë gjatë marrjes në pyetje dhe nuk ka dhënë shpjegime për ngjarjen apo motivin e mundshëm.
Ndërkohë, është kryer edhe autopsia e trupit të 24-vjeçares. Hetuesit po vijojnë punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes dhe për të përcaktuar motivin.
Deri në këtë fazë, autoritetet austriake nuk kanë konfirmuar zyrtarisht një motiv për ngjarjen.
KAQPATA


