Shtëpia në Lagjen e Boshnjakëve, ku gjatë luftës në Kosovë u vranë 11 civilë shqiptarë nga forcat serbe, është shndërruar në muze kujtese, në nderim të viktimave dhe ruajtje të kujtesës historike.
Ky hap është vlerësuar si një akt i rëndësishëm për dokumentimin e krimeve të luftës dhe për edukimin e brezave të rinj mbi ngjarjet tragjike të së kaluarës.
Dëshmi rrëqethëse nga familjarët
Gjatë ceremonisë përurimore, familjarët e viktimave rikujtuan momentet e rënda të masakrës, duke përshkruar ngjarjet me detaje të dhimbshme.
Sipas dëshmive, në këtë shtëpi dhe oborr janë ndalur dhe ekzekutuar civilë shqiptarë, ndërsa disa prej tyre janë maltretuar, plaçkitur dhe më pas vrarë në mënyrë brutale.
Një familjare rrëfeu se 11 persona u ndaluan dhe u ndanë në grupe, ku disa u ekzekutuan dhe u dogjën, duke lënë pas një traumë të thellë që vazhdon edhe sot.
“Britmat e tyre më kujtohen ende”, u tha mes emocioneve në ceremoninë përkujtimore.
Kurti: Kujtesa kolektive dhe drejtësia për viktimat
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e shndërrimit të vendeve të krimeve në hapësira të kujtesës kolektive.
Ai deklaroi se këto vende shërbejnë për dokumentimin e krimeve dhe për kërkimin e drejtësisë ndaj përgjegjësve, duke i cilësuar krimet e kryera gjatë luftës si krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Kurti shtoi se Kosova po forcohet si shtet dhe se kujtesa historike duhet të mbetet e gjallë për gjeneratat e ardhshme.
Një hap për kujtesën historike
Shndërrimi i shtëpisë në muze konsiderohet një simbol i rëndësishëm i përpjekjeve për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe dokumentimin e vuajtjeve të civilëve gjatë luftës në Kosovë.
Ky muze pritet të shërbejë si vend reflektimi dhe edukimi për historinë më të re të vendit.
KAQPATA


