Një deklaratë e eurodeputetit grek Fredi Beleri lidhur me çështjen e Zvërnecit ka nxitur reagimin e menjëhershëm të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Beleri, përmes një postimi në rrjetet sociale, deklaroi se kishte folur për situatën në Zvërnec dhe për “grekët e Epirit të Veriut”, një terminologji që vazhdon të shkaktojë debat në marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Në reagimin e tij publik, Balla theksoi se Zvërneci ndodhet në territorin e Shqipërisë dhe se termi “Vorio Epir” nuk ka vend në realitetin politik dhe historik të sotëm.
“O zoti Eurodeputet Beleri, Zvërneci është në shtetin që quhet Shqipëri. Termi Epir i Veriut ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta mbajnë gjallë. Prandaj të lutem zbato emërtesat zyrtare që të kërkon Parlamenti Europian”, shkroi Balla.
Ai shtoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së pronës private dhe respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare, duke i konsideruar këto si detyrime kushtetuese, ligjore dhe europiane.
Në fund të reagimit të tij, Balla i bëri thirrje Belerit të mos përdorë historinë për qëllime politike.
“Mos bëj politikë duke shtrembëruar fakte dhe historinë. E vazhdojmë në Strasburg muajin tjetër këtë diskutim për gjithçka bëjmë ne për pakicën shumë të respektuar greke në Shqipëri”, përfundoi ai.
Debati mes dy politikanëve vjen në një kohë kur çështjet që lidhen me minoritetin grek dhe pronat në zonën e jugut të Shqipërisë vijojnë të mbeten pjesë e diskutimeve politike mes Tiranës dhe Athinës.
KAQPATA


