Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Përgjithshëm të partisë, duke pasuar Ramush Haradinaj në krye të subjektit politik.

Gjini, i cili njëkohësisht është edhe kandidati i AAK-së për kryeministër, falënderoi delegatët për besimin e dhënë dhe u shpreh i emocionuar për përgjegjësinë e re politike.

“Është krenari me qenë pjesë e kësaj partie dhe me njerëz kaq të jashtëzakonshëm. Jam i emocionuar sikur secili prej jush”, deklaroi ai para delegatëve.

Në fjalimin e tij, Gjini vlerësoi sakrificën e luftëtarëve të lirisë, duke theksuar se ata mbeten shembulli më i mirë i altruizmit dhe shërbimit ndaj vendit.

Ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve për vazhdimin e rrugës politike të ndërtuar nga Haradinaj ndër vite.

“Po e kërkojmë besimin tuaj pas Ramush Haradinajt. Ai nuk ka qenë vetëm kryetar partie, por simbol i Kosovës dhe i politikës së mençur për më shumë se 30 vjet”, tha Gjini.

Kryetari i ri i AAK-së shtoi se figura e Haradinajt do të mbetet e shënuar në historinë politike të Kosovës.

“Historia e Kosovës dhe e Ramush Haradinajt do të shkruhet me shkronja të arta”, deklaroi ai.

Në fund të fjalimit, Gjini falënderoi Haradinajn për bashkëpunimin shumëvjeçar.

“Ekziston vetëm një njeri që me bindje të plotë e kam thirrur komandant, kryetar dhe kryeministër, dhe je ti. Për 26 vite shërbim, nuk do ta ndërroja asnjë minutë të vetme të kësaj pune”, përfundoi Gjini.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *